Shuhet legjenda e futbollit botëror, Franc Bekenbauer. Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur gjerman i cili mbajti për shumë vite nofkën “Kaizeri”, është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare.
“Është me trishtim të madh që lajmërojmë se burri dhe babai, Franc Bekenbauer, u nda nga jeta paqësisht në gjumë gjatë ditës së djeshme, të dielën, i rrethuar nga familja e tij. Ne ju kërkojmë që të na lejoni ta vajtojmë në qetësi dhe të përmbaheni nga drejtimi i pyetjeve”, thuhet ne njoftimin që u shpërnda nga familja e ikonës së futbollit botëror.
Bekenbauer cilësohet si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Kapiteni legjendar i Gjermanisë u shpall Kampione Bote në vitin 1974, teksa më pas e fitoi atë trofe edhe si një trajner në vitin 1990.












