Kuvendi i Shqipërisë miratoi gjatë mesnatës vetëm me votat e PS ligjin për faljen e gjobave të papaguara në zonat rurale dhe qytet, për ndërtimet pa leje të vendosura nga 1 janari 2015 – 30 nëntor 2024.
Gjithashtu amistohen gjobat për shkeljen e rregullave në pandemi dhe të AKU për subjektet bujqësore e blegtorale në fshat, në këtë periudhë.
Ndërkohë socialistët rrëzuan amendamentin e kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhit për anulimin e detyrimeve të prapambetura për energjinë dhe ujin.
Kush përfiton?
- Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.
- Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale
- Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë












