Forcat e Armatosura ditën e djeshme u ngjitën në Malin e Korabit, në kushte shumë të vështira atmosferike, për të shpëtuar 3 banorë, bashkë me 30 krerë kuaj të bllokuar në zonë nga dëbora.
Përmes një njoftimi, Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se operacioni në fjalë rezultoi i suksesshëm, duke iu ardhur në ndihmë banorëve, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe dëborës deri në 40 centimetër.
Po ashtu bëhet e ditur se në operacion morën pjesë 19 forca dhe 3 mjete nga Batalioni i tretë i Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut, të cilët finalizuan me sukses misionin në rreth 2100 metra lartësi.












