Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha se përveç rritjes të pagës minimale me 40 mijë lekë që nis nga 1 prilli, synimet janë që deri në vitin 2025, ajo të shkojë në 45 mijë lekë.
“Qeveria ka aplikuar një politikë të rritjes së pagës minimale. Masa e rritjes së pagës gjatë vitit 2022 ishte 4 mijë lekë. Ne kemi bërë studime, analiza. Ne kemi vlerësuar se një rritje e qenësishme e pagës minimale do të ndikojë te pagamarrësit. Kjo është një rritje që shkon në linjë me rritjen e ekonomisë së vendit.
Ne morëm masën për rritje nga data 1 prill me 6 mijë lekë, nga 34 mijë lekë në 40 mijë lekë, por kjo nuk do të jetë një rritje që do të bëhet vetëm këtë vit. Edhe vitin e ardhshëm do të aplikojmë një rritje të pagës minimale. Brenda vitit 2025, ne synojmë që paga minimale të shkojë në nivelin 45 mijë lekë”, tha Ibrahimaj.












