Parlamenti i Shqipërisë miratoi në seancën e kësaj të hëne futjen me procedurë të përshpejtuar në punimet e Kuvendit, të një ligji të ri për prodhimin e armëve.
Projektvendimi u miratua mes debateve dhe mori vetëm votat e maxhorancës. Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj, tha se kemi të bëjmë me n jë ligj të ri dhe jo me ndryshime në ligjin e armëve.
Ajo tha se projektligji do të shqyrtohet në komisione dhe do të kalojë për votim në seancën plenare të datës 25 korrik.
“Përpara se të votojmë për projektvendimin, ju lutem kolegë mund të dëgjohemi se kam përshtypjen se jeni të keqkuptuar. Nuk bëhet fjalë për ndryshime në ligjin për armët, por është një ligj i ri, një shërbim i ri. Po u kërkoj shërbimeve t’ua vënë në dispozicion, bëhet fjalë për projektligjin për “Rregullimin e prodhimit, tregtimit, kërkimit dhe zhvillimit të armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”, pra nuk ka të bëjë me ligjin e armëve, është projektligj i ri”, tha Felaj.












