Gjykata Kushtetuese ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama ku i bënte thirrje që të mos “lajthisë” duke miratuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve, të cilët kërkojnë rritje pagash me 700 euro.
Kushtetuesja, në reagimin e saj, e konsideron një formë ndikimi dhe përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj dhe që do të cenonte parimet themelore të shtetit të së drejtës.
“Gjykata Kushtetuese gjen rastin të ritheksojë se vendimet e saj mund të jenë objekt kritikash, megjithatë është e papranueshme çdo formë ndikimi, sikundër çdo përpjekje për të vënë në dyshim autoritetin dhe reputacionin e saj, qoftë edhe në dukje, çka do të cenonte vetë parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe atë të ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve“, thuhet në reagimin e Kushtetueses.












