Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi nga Ministeriali i NATO-s në Bruksel i ka dhënë përgjigje disa pyetjeve që lidhen me sfidat e sigurisë së aleancës, e cila është tronditur nga deklarata kërcënuese e ish-presidentit amerikan, Donald Trump.
Peleshi zbuloi se Shqipëria është në listën e 2/3 të anëtarëve të NATO-s që ka përmbushur angazhimin me vendosjen e 2% të GDP-së në funksion të sigurisë dhe mbrojtjes.
Ai shtoi se vendi ynë ka në plan blerjen e 4 helikopterëve të tjerë “Black Hawk” dhe ngritjen e sistemit antidron për të ruajtur sigurinë e infrastrukturës ushtarake dhe civile, por edhe krijimin e sistemit të mbrojtjes kundërajrore me ndihmën amerikane.
Peleshi zbuloi se më 4 mars në bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë gjatë inaugurimit do të ketë edhe një demonstrim force nga ana e vendeve aleate, duke përdorur avionë luftarakë.
Sipas ministrit të Mbrojtjes gjatë punimeve të Ministerialit në Bruksel është është ngritur nga një grup vendesh të NATO-s shqetësimi për shpenzimet e frikshme të Serbisë për armatim dhe kontratat që Aleksandër Vuçic ka lidhur me Vladimir Putin dhe Xi Jiping, për blerjen e pajisjeve ushtarake.












