Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Maliq, ku për shkak të një infarkti ka ndërruar jetë mësuesi 55-vjeçar Alban Bejleri.
Xhaxhai i tij është shprehur se Albani ishte një njeri i veçantë, punëtor dhe besimtar. Xhaxhai, Besim Bejleri, tregon se mësuesi bënte rreth 7 kilometra rrugë për të shkuar në punë vetëm për dy nxënës, ndërsa u bën thirrje politikanëve që personat e sëmurë duhet të punojnë pranë familjes.
“Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribuues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë. Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e rikthyen në punë, e çuan në zonën e Maliqit, në një zonë të thellë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja, e sollën tani. Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh: Bëj thirrje për të gjithë politikanët, të çdo krahu, që personat e sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve, mendoni për këta njerëz. Ishte njeri me dy universitete dhe kishte qenë pa punë. Kishte 5-6 vite në punë. Ai nuk ankohej kurrë, përshkonte rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Shkonte vetëm për dy nxënës”, shprehet ai.











