Viti i ri shkollor do të sjellë një ndryshim radikal në kurrikulën mësimore.
Për herë të parë nxënësit e klasës së katërt në Shqipëri do të mësojnë bazat e Inteligjencës Artificiale (AI), si pjesë e programit të ri të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Lajmi u bë i ditur nga Edi Rama i cili ndau një video nga shkolla “Isa Boletini” në Paskuqan, teksa kryeministri shkroi: “Ky vit i ri shkollor do të sjellë një tjetër risi në arsim, ku për herë të parë nxënësit e klasës së katërt do të mësojnë bazat e inteligjencës artificiale, me kurrikulën e re të TIK, teksa vijojmë investimet për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë në shkolla. Në çdo shkollë po vijon edhe shpërndarja e librave falas, një lehtësi për familjet në prag të fillimit të vitit të ri shkollor”
Kjo nismë është pjesë e një vizioni të qeverisë për modernizimin e sistemit arsimor shqiptar, duke sjellë teknologjinë dhe dijet e avancuara që në ciklin fillor, me synimin për të krijuar gjenerata të reja të përgatitura për epokën digjitale.












