Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar rreth një muaj më parë, kur Dallëndyshe Bici u prezantua si zëvendësuesja e Artan Lames në krye të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, një operacion “fshesa” ka nisur brenda institucionit.
Këtë të hënë, Bici ka firmosur shkarkimin e Xheni Agollit si drejtoreshë e Kadastrës së Durrësit, vetëm katër muaj pasi u emërua në këtë detyrë, pas dorëheqjes së Risena Xhajës. Drejtuesi i komanduar i ASHK Durrës do të jetë Ilir Gjinali, i cili punon prej vitesh tashmë pranë këtij institucioni.
Por, Bici nuk është treguar kaq e butë sa në rastin e Durrësit me Vlorën, pasi ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Posaçme, kreun aktual të ASHK-së në qytetin bregdetar, Erdet Mandi dhe ish-drejtorin Bilbil Aliaj. Përveç tyre janë kallëzuar me akuzën “Për shpërdorim detyre” në SPAK edhe 6 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë të Kadastrës së Vlorës. Sipas kallëzimit të depozituar, rezulton se pas verifikimeve të kryera, janë evidentuar shkelje të rënda në dhënien e lejes së legalizimit dhe titullit të pronësisë në cenim të truallit të Komunitetit Mysliman.












