Është anuluar mbledhja e zgjeruar e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetit qeveritar, e cila ishte planifikuar të zhvillohej mesditën e sotme te Pallati i Brigadave.
Deri në këto momente që raportojmë nuk është bërë akoma me dije se cili ka qenë shkaku që çoi në anulimin e mbledhjes që ishte parashikuar të mbahej sot në orën 12:30, një ditë pas protestës së dhunshme të zhvilluar ditën e djeshme nga studentët dhe të rinjtë të cilët shkaktuan kaos në Tiranë.
Takimi ishte thirrur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili mesditën e kësaj të mërkure do të mblidhte deputetët socialistë dhe ministrat e kabinetit qeveritar. Referuar axhendës që u bë publike, në fokus të diskutimeve të sotme do të ishin dy çështjet “Prania Besnike” dhe “Pasqyra Albania”, për të parë ecurinë e tyre.
Si zakonisht, mbledhja ishte parashikuar të niste me fjalën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, e pas tij fjalën do e merrte vetë Rama.












