Kryeministri Edi Rama ka thënë se një lajm i mirë po vjen në “horizont” pasi në kuadër të tensioneve në veri të Kosovës do të zhvillohet një konference e nivelit të lartë deri në arritjen e marrëveshjes për zbatimin e planit franko-gjerman.
Rama thotë se rajoni nuk mund të merret zvarrë në një konflikt absurd ndërsa shtoi se Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër.
“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel. Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veri të Kosoves”, shkruan Rama.











