Flamur Noka i është referuar mosparaqitjes së Sali Berishës sot në SPAK, duke deklaruar se në selinë e PD nuk ka mbërritur asnjë njoftim zyrtar me emrin e liderit të opozitës.
Noka tha se zarfi i ardhur ishte adresuar vetëm “për Partinë Demokratike”, ndaj shtoi ai, nuk mund të hapej nga askush. Ai tha se Berisha do të paraqitet kur zarfi të ketë të shkruar emrin e tij.
“PD dhe kreu i saj Sali Berisha nuk i shmanget llogaridhënies dhe vajtjes para drejtësisë. Kjo është një lojë e SKAP për të përhapur thashetheme mediatike për të bërë bujë dhe eklipsuar historinë e skandalit të Ballukut dhe Ramës, skandalit të tunelit dhe eklipsuar lajmin e kartelit të Sinaloa. Kur ma sjellin mua njoftimin pse ma sjellin me emrin Flamur Noka. Në selinë e PD s’ka ardhur asnjë shkresë me emrin Sali Berisha. Ka ardhur një zarf që thotë për Partinë Demokratike.PD ka emra. Kur të vijë letra për Flamur Nokën nuk ka të drejtë ta hapë askush tjetër, por Flamur Noka. Ftohet partia në SKAP? Dini gjë ju? Nuk ka ardhur asnjë kërkesë, asnjë njoftim. Kam qenë disa herë para SKAP-it të partisë. Ka ardhur fletëthirrja me emrin tim. Për emrin e Sali Berishës nuk ka ardhur. Z.Berisha ka deklaruar se sapo të njoftohet do të shkojë. 21 janari ishte tentativë për grusht shteti nga Rama dhe bandat e tij që bënë gjithçka për të marrë pushtetin me dhunë”, tha Noka.












