Një nga shprehjet më të përsëritura të kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës zgjedhore, për të goditur kandidatët e Sali Berishës, ka qenë përmendja e faktit se ish-kryeministri është person i shpallur non-grata nga SHBA.
Megjithatë Berisha nuk është i vetmi. Dy të tjerë janë Tom Doshi dhe Vangjush Dako. Ish-kryebashkiaku i Durrësit përflitet se është angazhuar në fushatën zgjedhore në Durrës.
I pyetur nga gazetarja Erla Mëhilli, Rama ka thënë se Dako është miku i tij, megjithatë ai është një person privat dhe mund të bëjë çfarë të dojë në lirinë e tij.
“Vangjush Dakon e kam patur, e kam dhe do ta kem mik. Është një person privat, se çfarë bën ai në jetën private të tij, nuk mund t’i thoni pse del nga shtëpia, pse bën atë, këtë. Tom Doshi është si cilido tjetër që ka të drejtë të bëjë atë që e sheh të arsyeshme. Ka forcën politike të vetë, ne jemi në punën tonë”, u shpreh Rama












