Administrata e Kuvendit ka njoftuar se zëvendësimi i karrigeve të djegura nga deputetët e opozitës dhe dëmtimi i objekteve të tjera, do të bëhet me paratë që do t’u mbahet nga paga deputetëve të opozitës.
Një ditë më parë, Parlamenti u përfshi në akte dhune nga deputetët e opozitës, në shenjë revolte për burgosjen e kolegut të tyre Ervin Salianji, i cili u dënua me 1 vit burg nga Apeli.
“Veprimet e ndërmarra nga deputetët e përfshirë, përmes goditjes me sende të forta ndaj personave të tjerë dhe djegies, shkatërrimit dhe dëmtimit të pajisjeve në sallën e seancave plenare, kanë shkaktuar përveç veprave penale edhe dëmtime të rënda të pronës publike. Deputetët e përfshirë do të ngarkohen me përgjegjësinë e dëmshpërblimit të plotë financiar. Karriget e djegura prej tyre nuk janë të tyret, po janë të popullit shqiptar dhe janë blerë e mirëmbahen ashtu si edhe të gjitha pajisjet e tjera, me taksat e shqiptarëve. Zëvendësimi i plotë i tyre dhe i çdo pajisjeje tjetër të dëmtuar do të bëhet ekskluzivisht me të ardhurat që do t’u mbahen nga paga deputetëve të përfshirë”, njofton Kuvendi.












