Është hequr gjatë natës gardhi rrethues, i vendosur rreth një muaj më parë në zonën e Akernisë, pranë pyllit dhe hidrovorit. Edhe në pjesën e Zvërnecit, ku më herët ishin larguar rojet e vendosura në terren, ka nisur procesi i çmontimit të gardhit.
Në këto momente, po hiqen segmentet e fundit të gardhit përgjatë gjithë perimetrit që shtrihet nga zona e hidrovorit të Akernisë deri në Zvërnec. Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi u hoq edhe teli me gjemba që ishte vendosur mbi gardhin rrethues.
Heqja e gardhit vjen pas kundërshtimeve të shumta nga banorë, aktivistë dhe qytetarë, të cilët e konsideruan vendosjen e tij si një kufizim të aksesit në zonën bregdetare.
Aktualisht, në terren nuk konstatohet as gardh dhe as prani e rojeve të sigurisë, ndërsa mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet e mëtejshme lidhur me projektin që shkaktoi përplasjen mes qytetarëve dhe institucioneve.












