Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka qenë vetë në krye të operacionit të nisur sot në Tiranë, që synon çlirimin e hapësirave publike nga ndërhyrjet abuzive dhe kthimin e tyre në funksion të qytetarëve.
Ministri ka njoftuar fillimin e një fushate të gjerë kombëtare, që synon rivendosjen e rendit urban dhe garantimin e të drejtës së qytetarëve për akses të lirë në hapësirat e përbashkëta.
Në terren janë angazhuar struktura të Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), të cilat kanë nisur një aksion të përbashkët në disa prej zonave më të frekuentuara të kryeqytetit: Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, hapësirat pas Muzeut Historik Kombëtar dhe një kompleks në afërsi të zonës “21 Dhjetori”.
“Ky është vetëm një hap i parë në një fushatë të shtrirë në të gjithë vendin, për t’u rikthyer qytetarëve trotuaret, sheshet dhe hapësirat publike që u përkasin me të drejtë,” – është shprehur Hoxha, duke theksuar me vendosmëri se askush nuk është mbi ligjin, dhe se asnjë subjekt nuk mund të pushtojë hapësirat e përbashkëta në dëm të komunitetit.












