Deputeti i PD-së, Ervin Salianji do të vuajë 1 vit burg pasi u shpall fajtor për “kallëzim të rremë” për dosjen “Babale”.
Juristi Marsid Gupi tregoi se çfarë vjen pas këtij vendimi, çfarë do të bëjnë avokatët e deputetit dhe pasojat për Salianjin.
“Deputeti Ervin Salianji është dënuar për kallëzim të rremë me një vit burg nga Gjykata e Apelit. Për shkak të ligjit të dekriminalizmit nuk do mund të jetë pjesë e listës për deputet, pasi certifikata e vet e përgjegjësisë penale i del person i dënuar. Dhe një subjekti politik i cili dëshiron të jetë përfaqësues i popullit shqiptar në listat emërorë të ndonjë partie, duhet të plotësojë disa kritere, një nga ato është që nuk duhet të jetë i dënuar. Praktikisht karriera politike e zoti Salianji është e djegur. Salianji u dënua me një vit burg, por gjithmonë aplikohet dënimi me kusht, që do të thotë që mund të merren forma më të lehta dënimi për ata që janë të dënuar me më pak se 5 vjet dhe që plotësojnë disa kritere që janë rrethanat lehtësuese, si p.sh: është person i arsimuar, i padënuar më parë, familjar. Pra mund të vendoset detyrim paraqitjeje ose arrest shtëpie.”, tha juristi












