Policia e Shtetit ka reaguar pas arrestimit të Ilir Metës i cili u nxorr për lecka nga agjentët e BKH-së.
Policia e Shtetit sqaron se zbatoi ligjin për vendimin e Gjykatës së Posaçme me urdhër të SPAK-ut. Policia sqaron se Ilir Meta është nxjerrë me forcë nga automjeti pasi ofendoi dhe kundershtoi agjentët e BKH-së duke mos iu bindur urdhërit.
“Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës. Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.
Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë. Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht”, thuhet në deklaratë.