Me reformën e pagave të pushtetit lokal, qeveria sugjeron që të mos ketë më diferenca të nivelit të të pagës nga bashkia në bashki. Kjo me qëllim që të ulet tendenca për të braktisur punën në rrethe.
Pagat e reja do të rriten ndjeshëm për punonjësit vendorë dhe sipas planit të qeverisë, kjo do të zbusë edhe mungesën e stafeve në bashki pasi punonjësit e të njëjtit profesion, do të paguhen njësoj në të gjitha bashkitë ku punojnë.
“Sugjerimi ynë është që të mos ketë më diferenca të pagës nga bashkia në bashki. Bashkitë të kenë të gjithë një nivel page. E vetmja diferencë është që disa bashki të mos kenë disa klasa pagash. Ne besojmë që me këto nivele jemi konkurrues edhe me tregun privat” tha ministri Mazniku.
Rritja e pagave për pushtetin vendor do të ndodhë në muajin qershor dhe vendimi do të hyjë në fuqi brenda verës. Rritja e pagave kap nivelet nga 40% deri në dyfishim të pagës për disa profesione specifike.












