Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i “soset durimi” dhe së fundmi i ka kërkuar Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti që të ulin gjakrat në lidhje me situatën në veri.
Rama paralajmëron rikthimin e marrëdhënieve të akullta Shqipëri-Serbi. Ndërsa homologut të tij, Albin Kurti i bën thirrje që të dalë nga guacka e vetizolimit, ashtu siç e quan kreu i qeverisë dhe mos e humbë Kosovën.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen! Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkruan Rama.












