Teksa protestat kundër projektit të resortit turistik në Zvërnec kanë hyrë në ditën e 40-të kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për një nga mediat më prestigjioze italiane Corriere della Sera.
Në një intervistë të gjatë, kreu i qeverisë ka komentuar jo vetëm zhvillimet e fundit në vend, por edhe akuzat e opozitës, kërkesat për dorëheqjen e tij, debatin mbi projektin e shumëdiskutuar në Zvërnec dhe ndikimin që sipas tij po ushtrojnë rrjetet sociale te opinioni publik.
Rama shprehet se protestat, të cilat nisën si një reagim qytetar ndaj mundësisë së ndërtimit të një resorti luksoz pranë zonës së mbrojtur të Zvërnecit, kanë ndryshuar “qëllimin” me kalimin e javëve. Sipas tij, ato nuk janë më vetëm një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit, por janë shndërruar edhe në një betejë politike kundër qeverisë.
Kryeministri thekson se në fillim i ka parë protestat vërtet si një mënyrë që qytetarët ishin duke shprehur shqetësimin e tyre, duke i krahasuar me protestën studentore të vitit 2018, ndërsa shton se ka dëgjuar dhe vazhdon të dëgjojë zërin e qytetarëve. Megjithatë, sipas tij situata ka marrë një tjetër dimension, pasi në protestë janë përfshirë aktorë politikë dhe rrjete që sipas Ramës synojnë të godasin qeverinë.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për presionin politik dhe kërkesat për të bllokuar projektin, kryeministri është shprehur prerazi:
“Jo. Nuk kam frikë as nga administrata amerikane, as nga rrjetet sociale, as nga turma. Kam një përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit dhe as zhurma globale pro ose kundër Trumpit. Kriteri do të jetë vetëm një: a i plotëson projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, do të vazhdojë. Nëse jo, nuk do të vazhdojë. Pikë“, tha Rama.












