Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është shprehur se personi që e ka kallëzuar, Nesti Agoni mund të jetë edhe një sajesë e vetë këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e logon e Shtetit.
Në një intervistë me Report TV, Veliaj theksoi se këto vite është ngritur çdo mëngjes të bëjë mirë duke ndërtuar shkolla, kopshte e çerdhe.
“Nesti Angoni? Kjo s’ka fare rëndësi! Mund të jetë një sajesë e vetë këtyre që hesapet personale i lajnë me vulën e logon e Shtetit. S’i kam bërë kurrë kujt keq. Jam zgjuar çdo mëngjes këto vite që të bëj mirë: të bëj çdo ditë një shkollë, një kopësht, një çerdhe, një park, një rrugë, një shesh, një qendër sociale! S’mbaj mend të kem pushuar një fundjavë, i kam rënë në qafë familjes sime, si e si të ndihmoja mijëra njerëz, sa kam pasur mundësi” tha Veliaj
Kryebashkiaku u pyet se përse nuk ka sulmuar në asnjë reagim të tij kreun e SPAK Altin Dumani.
“Sepse ende lus Perëndinë që një ditë do kuptojë se si po përdoret nga vartësit mediokër e hakmarrës për hesapet e tyre personale. Po e përdorin si Pilatin për Barabën. Zoti e ndriçoftë!” tha Veliaj.












