Kryeministri Edi Rama ka mbyllur fushatën sot në qytetin e Shkodrës, shoqëruar nga kandidati i mazhorancës, Benet Beci.
Rama u shpreh se Partia Socialiste ka bërë ndryshimin në shumë qytete të vendit, por në Shkodër nuk e ka pasur mundësinë ndër vite. Megjithatë, Rama thotë se kësaj here mazhoranca ka zgjedhur kandidatin ideal për qytetin verior.
“Beneti, se kështu është i urtë i urtë, ka pas bo debate në televizor kundër nesh, ky nuk kandidonte për asnjë gjë, por dilte mbronte zotin Berisha. Megjithatë kjo nuk ishte problem përderisa për mua ishte personi i duhur për ta drejtuar Fondin. Kur i thashë të futet deputet, tha unë s’kam lidhje me atë punë. Je shumë blu i thashë dhe duhet të të hedhim pak nga ngjyra jonë dhe të balancohesh se larg qoftë të votojnë ata dhe nuk të votojnë të mitë, as ngjyra blu e as mavi nuk e kanë udhëheq Benetin në punën e vet, por dëshira dhe profesionalizmi i tij. Kështuqë duhet t’u them të gjithë atyre që s’janë këtu, Beneti është kuq e zi dhe Shkodra duhet të votojë kuq e zi këtë herë duke votuar për Benetin“, tha Rama.












