Sot ka nisur zyrtarisht rinumërimi i votave në qarkun Fier.
Në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë janë hapur 587 kuti votimi, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve fillestare në këtë qark që përfaqësohet me 16 mandate në Kuvend.
Deri në mesditën e së hënës janë rinumëruar 80 kuti ku Partia Demokratike rezulton me 18 vota më tepër, ndërsa Partia Socialiste ka 2 vota të pamerituara. Koalicioni ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ ka humbur 6 vota.
Procesi i rinumërimit në Fier është kërkuar nga koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet, i drejtuar nga Adriatik Lapaj, që pretendon një mandat shtesë. Sipas të dhënave, koalicionit i duhen vetëm 517 vota për ta marrë këtë mandat nga Partia Socialiste. Nëse ky rezultat ndryshon, në Kuvend do të hyjë kandidati Azmer Duleviç, duke zëvendësuar socialistin Ramion Kurti.












