Ervin Salianji ka reaguar pas sulmit të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili deklaroi se ish-deputeti “s’ka asnjë lidhje me PD-në”.
Në një postim në Facebook, Salianji thekson se PD nuk është pronë private dhe se ai nuk ka nevojë të provoj lidhjen e tij me partinë.
“Partia Demokratike nuk është pronë personale dhe as instrument për të mbytur mendimin ndryshe. Ajo është shtëpia politike e mijëra demokratëve që kanë sakrifikuar për pluralizmin, për lirinë dhe për përballjen me Edi Ramën. Lidhja me të nuk matet me vula e deklarata, por me qëndrime, me përballje reale dhe me fitore përballë regjimit të korrupsionit.Sot qytetarët nuk pyesin kush përjashton kë. Ata pyesin pse opozita nuk fiton. Pse nuk frymëzon? Pse nuk organizohet si alternativë qeverisëse, por mjaftohet me retorikë dhe justifikime. Ka nevojë për hapje, për riorganizim dhe për lidership që bashkon, jo që ngushton. Unë do të vazhdoj takimet me demokratët dhe do të paraqes një platformë konkrete për ta bërë Partinë Demokratike më të fortë, më të hapur dhe më konkurruese. Askush nuk mund ta përjashtojë vullnetin e demokratëve për ndryshim. Përçarja nuk është alternativë”, tha Salianji.












