Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim me intelektualë, pedagogë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ku ka ngritur shqetësime për funksionimin e partive politike në vend.
Në një kohë kur përflitet për një sfidë ndaj Sali Berisha në zgjedhjet për drejtimin e PD-së më 23 maj, Salianji ka lënë të kuptohet për një ambicie të tillë, duke theksuar nevojën për rritjen e demokracisë së brendshme dhe integritetit të proceseve zgjedhore në parti.
Ai u shpreh se është e domosdoshme një ndërhyrje ligjore për të rregulluar mënyrën e funksionimit të partive politike, duke propozuar krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës për zgjedhjet e brendshme partiake.
“Duhet një rregullim ligjor për mënyrën si funksionojnë partitë politike, duke krijuar një komision për zgjedhjet brenda partiake. Dy kryetarët e partive kryesore, kur vjen puna te kontrolli i partive, bëhen bashkë, ndryshon vetëm retorika”, deklaroi Salianji.
Salianji theksoi gjithashtu se mungesa e rregullave të qarta prek si Partia Socialiste ashtu edhe Partinë Demokratike, duke shtuar se ndryshimet e fundit në sistemin zgjedhor kanë kufizuar rolin e qytetarëve në përzgjedhjen e përfaqësuesve.
Në fjalën e tij, ai vlerësoi edhe rolin e SPAK në luftën kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve dhe rritjes së besimit publik.












