Të enjten ethet e kandidatëve socialistë shpërthyen në grupin në “Whatsapp” të Tiranës.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu është njohur me komunikimet në këtë grup ku fillimisht Taulant Balla ka siguruar kandidatët se çdo votë do të numërohet me korrektësinë maksimale.
Ai u ka kujtuar ndëshkimet ligjore për numëruesit nëse tjetërson vullnetin e votuesve. Më pas ka komentuar me plot shqetësim një kandidat nga lista e hapur me të cilin Rama nuk i ka kursyer batuat kur prezantoi skuadrën e Tiranës.
Komenti më i ashpër ka ardhur nga një kandidate femër e njohur për sportivitetin në jetën e përditshme por irritimi i saj dukej qartë.
“I kam gati emrat për kallëzim penal të atyre që kanë prekur votën time”, ka shkruar ajo.
Të dy këto mesazhe më pas janë fshirë nga moderatori i grupit një prej bashkëdrejtuesve politik të Tiranës. Në këto momemte ka ndërhyrë Edi Rama përmes një mesazhi zanor ku kërkon qetësi dhe maturi përballë në procesin e numrit të votës së kandidatëve nga diaspora.












