Të rinjtë ekselentë, që kanë përfunduar studimet universitare me mesatare mbi 9, kanë edhe 3 ditë kohë për të aplikuar për një vend pune në administratën publike.
“Aktualisht janë 153 pozicione pune vakante, që janë vënë në dispozicion të të rinjve për të aplikuar. Përfshijnë një numër prej 80 institucionesh të administratës publike, në 22 qytete të Shqipërisë, në 12 qarqe. Kushdo që ka përfunduar studimet e nivelit Bachelor ose të nivelit Master Shkencor, ose Master Profesional, sipas profilit të pozicionit të punës ku duan të aplikojnë dhe ka një mesatare të ponderuar mbi 9, mund të aplikojë për programin e ekselencës. Nuk ka nevojë për një përvojë të mëparshme profesionale, sikurse është në qëllimin e këtij programi që t’u japë mundësi të rinjve të krijojnë një përvojë profesionale, në shërbim të karrierës së tyre”, njofton qeveria Rama.
Pas mbylljes së aplikimeve më 12 dhjetor, fituesit do të njoftohen me email në javën e parë të janarit. Ata që do të fitojnë të drejtën të punësohen në një prej institucioneve të administratës publike, do të nënshkruajnë një kontratë pune 1-vjeçare.












