Vila nr. 22 në Hamallaj, që është në emër të Eriola Hoxhës, bashkëjetueses së ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, është sekuestruar nga SPAK me miratimin e Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Më herët gjatë ditës së sotme, Prokuroria e Posaçme sekuestroi një vilë në zonën e Palasës, e cila dyshohet se është në pronësi të ish-gruas së Ahmetaj, Albina Mancka. Ky zhvillim vjen tre ditë pasi SPAK njoftoi se ish-zëvendëskryeministrit është marrë zyrtarisht nën hetim për tre vepra penale, si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Ahmetaj po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.
Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë ndërtesë. Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.












