Ilir Meta reagon pasi në media u raportua se SPAK zbuloi një tjetër rast të dyshuar korrupsioni.
Burimet thonë se bëhet fjalë për një kartë bankare që Meta dhe Kryemadhi e kanë përdorur për shpenzime, e cila iu është dhënë nga një biznesmen, kushëri i Monika Kryemadhit.
Por edhe Meta thotë se mban përgjegjësi vetëm për veten dhe për askënd tjetër, madje as për fëmijët. Me ironi, Meta shkruan se Dumani kërkon ta mbajë çift me Monikën me “zor”, pasi edhe kur iu komunikuan akuzat si i pandehur, statusin e kishte ende i martuar.
“Unë e mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur me pahir në opinion një çift, që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje pasioni i Altin Dumanit është “kaq i zjarrtë” për të mbajtur gjallë këtë çift në publik dhe në shërbim të hetimeve të tij prej 6 vitesh me urdhër të Charles McGonigalit dhe Edi Ramës, që nga dhjetori 2019, aq sa edhe në akuzën si i pandehur që m’u komunikua më 27 maj, statusin tim e kishin ende i martuar, kur ndërkohë që ky status nuk ekziston juridikisht prej 1 viti. Akoma më të turpshme janë lajmet që qenka zbuluar një kartë e paligjshme që implikon Ilir Metën. Asnjë akt i paligjshëm as nuk ka ndodhur dhe as nuk mund të ndodhë nga Ilir Meta, as në Republikën e Shqipërisë, as në SHBA dhe as në një vend tjetër. Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër. Ilir Meta nuk mban përgjegjësi as për fëmijët e tij, që i ka në moshë madhore dhe i ka këshilluar që gjithmonë të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe aq më tepër nuk mund të mbajë përgjegjësi për kushërinjtë e tij”, shkruan ndër të tjera Meta.












