Koloneli Vladimir Mema, një nga figurat me përvojë të gjatë në strukturat e ushtrisë shqiptare, ka dhënë një mesazh të fortë për shtetin dhe qytetarët.
Në një rrëfim koloneli Mema paralajmëron se rreziku i një konflikti në rajon nuk duhet nënvlerësuar, duke theksuar domosdoshmërinë e përgatitjes civile dhe rikthimit të strehimeve në funksion.
“Lufta moderne nuk vjen me paralajmërim. Raketat dhe dronët nuk pyesin. Ne jemi pjesë e NATO-s, po kjo nuk na mbron nga kaosi i brendshëm. Në çdo qytet, çdo lagje, duhet të evidentohen dhe pastrohen strehimet civile. Sot, ato nuk figurojnë më në asnjë inventar bashkie. Kanë mbetur të mbuluara nga plehrat dhe harresa. Vendstrehimet dhe bunkeret janë lënë në harresë. Në rast lufte, populli nuk ka ku të strehohet”, deklaron Mema.
Sipas tij, shteti duhet të krijojë një strukturë të posaçme që kujdeset për mirëmbajtjen dhe funksionalitetin e këtyre hapësirave, të cilat në kohën e komunizmit ishin pjesë standarde e çdo pallati dhe institucioni.
“Nuk mjafton vetëm armata apo NATO. Populli duhet përgatitur, jo për panik, por për siguri. Të gjithë duhet të dinë ku të fshihen në një situatë lufte. Është më mirë të jemi të përgatitur dhe të mos na duhet, sesa të na duhet dhe të mos jemi gati”, tha koleneli.
Kujtojmë se gjatë viteve të komunizmit, Shqipëria ndërtoi mijëra vendstrehime dhe bunkerë përballë një lufte që nuk erdhi kurrë. Sot, shumica prej tyre janë lënë në degradim, shndërruar në depo plehrash apo ambiente të braktisura.












