Ish-drejtuesi i UÇK-së dhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar për herë të parë në lidhje me dënimin prej 25 vitesh që Dhomat e Specializuara të Hagës vendosën ndaj tij ditën e djeshme, teksa ka falënderuar qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë.
Përmes kryeavokatit të tij, Luka Misetiç, Thaçi iu është drejtuar me një mesazh të rëndësishëm qytetarëve të Kosovës. Ai u ka bërë thirrje që të ruajnë qetësinë pas vendimit të djeshëm.
“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, thuhet në reagim.
Po ashtu theksohet se avokatët e Thaçit do të apelojnë vendimin e djeshëm të gjykimit, pasi sipas tyre ka pasur gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike.
“Kështu, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat u bazua ky përfundim i ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, thuhet në deklaratë.
Luka Misetic: Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme.
Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë vendimin e djeshëm të gjykimit para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se ka pasur gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.
Gjatë gjithë gjykimit, mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja pohon se ndërhyrjet gjyqësore e kaluan kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tani reflektohet në vendimin e Panelit të Gjykimit.
Mbrojtja argumenton se konstatimet e Panelit të Gjykimit për fajësinë “përtej dyshimit të arsyeshëm” mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, dje Paneli i Gjykimit pretendoi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në çështje që të mos diskutonin për rastin e z. Allaqi në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me atë rast të mbaheshin konfidenciale.
Kështu, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat u bazua ky përfundim i ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.
Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Panelit të Gjykimit për shkak të shkeljes së të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës. Z. Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.
Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut te institucionet ndërkombëtare penale. Mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht Njoftimin e Apelit para Panelit të Apelit, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale.












