Qeveria Rama ka emëruar Lira Pipën në “postin” e zv.ministres të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të krijuar së fundmi dhe që do të drejtohet nga Blendi Gonxhja.
Lira Pipa ka qenë një vartëse e Blendi Gonxhes tek Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), teksa tani vihet sërish nën urdhërat e tij si zv.ministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Kush është Lira Pipa? Ajo ka lindur në Tiranë, më 24 Qershor 1991. Gjatë viteve 2009 – 2012, Lira Pipa ka kryer studimet pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës dega Administrim Biznesi. Më pas gjatë viteve 2012 – 2014, ka përfunduar me rezultate të larta studimet Master në Marketing, pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës.
Gjatë viteve 2016 – 2019, Lira Pipa ka punuar si specialiste pranë Drejtorisë së Komunikimit Publik, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit. Nga viti 2019, Lira Pipa i është bashkuar stafit të DPSHTRR, institucion në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në pozicionin e Drejtorit të Kabinetit.












