Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nga java e ardhshme do të sekuestrohen produktet e bulmetit, qumështi dhe mishi pa faturë, duke i cilësuar si një kërcënim direkt për shëndetin.
Rama thotë se siguria ushqimore është kyçe për një vend që synon të ulet në tryezën e BE-së.
“STOP qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë. Nga java e ardhshme çdo prodhim i tillë do të sekuestrohet, sepse përbën një kërcënim direkt të shëndetit sidomos me temperaturat e larta dhe subjektet tregtuese do të gjobiten skajshëm. Siguria ushqimore dhe formalizimi i të gjithë zinxhirit tregtar nga ferma në tryezë është një domosdoshmëri, e cila nuk pret më për një vend që synon të ulet në tryezën e Bashkimit Europian deri në fund të kësaj dekade“, shkruan Rama.












