Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka dhënë detaje mbi vizitën e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesëmarrjen e tij në konventën e Partisë Republikane në Dallas.
Mediu tha se Berisha, së bashku me dy përfaqësues të tjerë shqiptarë, është i ftuar zyrtarisht në konventën republikane dhe se gjatë qëndrimit në SHBA priten edhe takime me përfaqësues të Kongresit, Senatit dhe Partisë Republikane amerikane.
“Unë dhe zoti Berisha, bashkë me dy përfaqësues të tjerë që jemi anëtarë të ekzekutivit të IDU-së, kemi qenë të ftuar zyrtarisht në konventën republikane që do të zhvillohet në Dallas”, deklaroi Mediu.
Ai theksoi se pjesëmarrja nuk do të jetë thjesht formale, duke bërë të ditur se Berisha dhe ai do të jenë në pjesën VIP të aktivitetit.
“Do të jemi në pjesën VIP të konventës. Do të jemi atje ku është pjesa e rëndësishme e konventës, me përfaqësuesit më të lartë. Takimet do të jenë me përfaqësues të Kongresit, të Senatit apo edhe të Partisë Republikane amerikane”, u shpreh Mediu.












