Pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës për partitë, pritet tashmë rezultati për votat preferenciale, ku gara më e fortë zhvillohet brenda Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës.
Ish-ministrja Olta Xhaçka ka arritur të kalojë kolegen e saj Blerina Gjylameti, pas numërimit të votave të ardhura nga Greqia për Tiranën, duke marrë një avantazh prej 69 votash.
Po brenda PS-së, Orlando Rakipi ka një epërsi prej 447 votash ndaj Xhemal Qefalisë. Një tjetër emër që ka siguruar mandat nga lista e hapur është ministrja Anila Denaj, e cila u zgjodh përmes kuotës gjinore.
Partia Socialiste ka siguruar 83 mandate, duke ruajtur edhe mandatin e 12-të në Fier pas numërimit të votave të diasporës nga Greqia, i cili i rikonfirmoi përballë sfidës së Nismës “Shqipëria Bëhet”. Nga ana tjetër, Partia Demokratike mban 50 mandate, pasi ruajti mandatin e katërt në Lezhë.












