Në një mbledhje që zgjati rreth 100 minuta në selinë e PS, këshilltarët e majtë të Bashkisë së Tiranës, mes rezistencës, ranë dakord për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj që ndodhet pas hekurave prej muajit shkurt, kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Këshilltarët socialistë të kryeqytetit vendosën që të martën e ardhshme, (23 shtator), të hidhet për diskutim projektvendimi për shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj, me argumentin se nuk është paraqitur në zyrë për të ushtruar detyrën, në 3 muajt e fundit.
Në vendimin e përgatitur nga këshilltarët socialistë, thuhet: “Në vijim të mbledhjes së grupit të këshilltarëve të Partisë Socialiste, kërkesa e firmosur nga grupi i këshilltarëve, i referohet Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, i ndryshuar, neni 62 gërma c, ku thuhet: ‘Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur: c) propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë’.”












