Fredi Beleri i është drejtuar këtë të hënë me një shkresë Gjykatës së Tiranës, ku i kërkon që të PEZULLOJË dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja më 4 Gusht për Bashkinë e Himarës.
Beleri kërkon nga Gjykata: “Marrjen e masës së sigurimit të padisë. Pezullimi i zbatimit të Dekretit nr.244, datë 05.07.2024 të Presidentit të Republikës deri në marrjen e vendimit përfundimtar”.
Në shkresën dërguar Gjykatës, Beleri argumenton se do të ankimojë vendimin dhe deri atëherë kërkon pezullimin e zbatimit të aktit administrativ.
Kreu i KQZ, Celibashi vendosi ditën e premte për ta shpallur të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit si kryebashkiak i Himarës, pas dënimit të tij me 2 vite burg nga Gjykata e Apelit. Më pas, Presidenti Bajram Begaj caktoi “4 Gushtit” si datë për zgjedhjet e reja në Bashkinë e Himarës.












