Ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Ruth Huber, ka shpjeguar se deri në vitin 2028 nuk do të ndërpritet asnjë program i qeverisë së vendit të saj për Shqipërinë.
Ajo sqaron në një intervistë për ”News24” se nuk do të ketë ndërprerje fondesh dhe as ngrirje të tyre, por një reduktim gradual.
“Nuk është një prerje fondesh as një ngrirje e tyre. Në do të reduktojmë gradualisht fondet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim, nga fundi i vitit 2028, ndaj ka pothuaj edhe 4 vite kohë gjatë të cilave mund të bëjmë ende shumë gjëra dhe të kemi rezultate”, thotë Huber.
“Parlamenti zviceran ka vendosur për reduktime buxheti”, sqaron ambasadorja.
Sipas saj, reduktimi i ndihmës nuk do të thotë ndryshim politikash, ndërsa shton se Shqipëria mbetet një vend i rëndësishëm për Zvicrën.
“Marrëdhëniet mes dy vendeve janë të forta e të mira”, ka theksuar ajo.