Në vitin 2025, do të jetë gati projekti për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë, e cila parashikohet të ketë një kosto 700 milionë euro, dhe do të financohet nga buxhetet e dy shteteve Shqipëri-Kosovë.
Këtë të mërkurë është shpallur fituesi i tenderit të hapur në korrik të këtij viti për bërjen e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Mes 5 ofertave fituese është shpallur ajo e bashkimit të dy operatorëve “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. të cilët kanë ofruar 168.9 milionë lekë për të realizuar këtë projekt. Kompanitë do të kenë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projekt idenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë.
Qëllimi i tenderit është kryerja e një studimi fizibiliteti të lidhjes së re hekurudhore Durrës-Prishtinë, ku kompanitë do të identifikojnë gjatësinë e hekurudhës, gjurmën ku do të kalojë përgjatë qyteteve, duke përfshirë planet për ndërtimin e urave, tuneleve, nën kalimeve apo mbikalimeve si dhe stacionet për pasagjerët përgjatë linjës së hekurudhës. Si dhe të bëjë të gjitha analizat mbi kostot e investimit, shpenzimet e funksionimit dhe mirëmbajtjes.