Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri të Durrësit, i cili deri më tani thuhet se do të ndërtohet nga një investitor privat, parashikon prishjen e anekseve sportive rreth e qark tij.
Investitori privat, emri i të cili ende nuk është bërë publik, sugjeron ndërtimin e një stadiumi me kapacitet 12 mijë vendesh, ndërkohë që investimi do të realizohet me fondet e privatit. Stadiumi i ri parashikohet të ketë kapacitet më të madh sesa kompleksi sportiv aktual me 8500 ulëse. Në këmbim investitori do të përfitojë truallin rreth stadiumit për të ndërtuar dy kullat në foto, njëra 125 metra dhe tjetra 155 metra e lartë, shkruan Albania Team në rrjete sociale.
Në muajin shkurt të këtij viti, kryeministri Edi Rama hapi konkursin ndërkombëtar për ndërtimin e stadiumeve në qytetet e Vlorës, Durrësit dhe Korçës. Sipas Ramës, këto stadiume do të kthehen në qendra të reja qytetesh.












