Kryeministri Edi Rama mori pjesë këtë të martë në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste, ku pas daljes nga selia rozë dha një prononcim për media.
Rama foli në lidhje me pritshmëritë e PS për zgjedhjet e 14 majit, ku tha se mazhoranca do të marrë një rezultat kuptimplotë, pasi do të shpërblehet puna që është bërë. Kreu i qeverisë zgjodhi që të mos jepte një shifër mbi bashkitë që ka si objektiv të fitojë Partia Socialiste.
“Unë besoj se do kemi një rezultat shumë kuptimplotë për të gjithë dhe një rezultat sa do të na shpërblejë për punën që kemi bërë dhe që do të na motivojë për punën që duhet ta bëjmë. Jemi në një moment të jashtëzakonshëm pasi po dalim nga një kthesë e fortë në planin ekonimik. Ju i ndoqët vlerësimet domethënëse të raportit të Bankës Botërore për Shqipërinë. Ne jemi në një moment që kemi nisur rritjen historike të pagave, si asnjëherë në këto 30-vjet. Në harkun e një viti prill me prill ka filluar dhe do të përfundojë e gjithë kurba që do ta çojë pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro”, tha Rama.












