Nuk kanë qenë ditë aspak të qeta, këto të Korrikut, për Edi Ramën si kryeministër, ku një tjetër njeri i tij “i besuar” po shkon drejt arrestimit.
Në një kohë që SPAK i ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit arrestimin e Arben Ahmetajt, burimet mediatike bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka anuluar një takim që kishte planifikuar në qytetin e Vlorës, dhe është në disa takime në vilën 30 në Tiranë.
Nuk dihen ende se cilët ka thirrur Rama në takim, por me siguri fokusi i diskutimeve do të jenë zhvillimet e fundit, edhe në Ministrinë e Brendshme, me shkarkimin e Bledi Çuçit dhe emërimit në vend të tij të Taulant Ballës. Që të ekzekutohet arrestimi i Ahmetaj, fillimisht duhet të jepet leja nga Kuvendi, pasi ligjvënësit janë imunë. Në rast se Ahmetaj nuk pranon të japë dorëheqjen atëherë do të mblidhet Komisioni Parlamentar për Mandatet që të shqyrtohet kërkesa për heqjen e mandatit të Arben Ahmetajt dhe më pas i hapet rruga arrestimit të tij.












