Një tjetër investim strategjik pritet t’i shtohet qytetit të Korçës. Qeveria Rama vë në dispozicion të Investitorit Strategjik një sipërfaqe prej 10.000 m2 për ndërtimin e një hoteli luksoz në “qytetin e serenatave”.
Ky projekt parashikon ndërtimin e një resorti luksoz i rrethuar nga gjelbërimi, që do të ketë në përbërje një hotel me kapacitet total prej 94 dhomash, restorante, bare, SPA. Përveçse do të sjellë më shumë gjallëri, resorti do të rrisë edhe punësimin në qytetin e Korçës. Vlera e investimit të projektit të investimit “Green House Korça Resort” i parashikohet të jetë 18,106,741 Euro.
“Prona e përmendur vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik ‘Green House Korça Resort’, me subjekt investues ‘Investment and Development Albania’, sh.p.k.”, thuhet në vendimin që është miratuar nga Këshilli i Ministrave.
Kjo kompani zotërohet nga biznesmenët: Agim Zeqo, që është aksioneri më i madh me 40 % të aksioneve dhe ortakët Gerian Kuka dhe Ilir Shtufi të cilët kanë respektivisht nga 30 % të aksioneve.












