Komisioni Evropian ka reaguar sërish duke dënuar me forcë protestën e dhunshme të studentëve që po zhvillohet prej 6 ditësh në Tiranë.
Në deklaratë, Komisioni Evropian dënon aktet e dhunës, zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe biznesit privat, ndërsa Europa thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike.
Komisioni Europian kërkon që personat përgjegjës për aktet e dhunës të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor.
“Dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe të jetë proporcional. Personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore.
Përshëndesim angazhimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat, të angazhuar fort në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe që po bën përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”, thuhet ne deklarate.












