Kryeministri Edi Rama ka zbuluar se ka një komunikim normal me homologun e tij grek, Mitsotakis dhe nuk ka nevojë për ndërmjetës që të rregullojë marrëdhëniet.
Në lidhje me deklaratat paralajmëruese që janë dhënë nga zyrtarët grekë për “hakmarrje”, Rama tha se këto kërcënime janë jo-europiane, pasi nuk mund të ndërhyhet për të penguar procesin e anëtarësimit në BE.
“Nuk kam nevojë për asnjë ndërmjetës për të patur komunikim me Mitsotakis sepse ai është një mik dhe unë e kam çmuar dhe e çmoj si një njeri të admirueshëm personalisht dhe si një lider modern dhe unë nuk kam çfarë mesazhi t’i përcjell nëpërmjet mediave sepse nuk është nevoja. Ne komunikojmë dhe nuk kemi nevojë për ndërmjetës. Kam degjuar se nëse topi nuk shkon në atë drejtim ku e do Athina, atehere Greqia do të hakmerret me Shqipërinë, duke penguar procesin e anëtarësimit në BE, – kjo është jo evropiane dhe kjo është shumë antike. Te Greqia unë shoh, partnerin tonë jo vetëm në Ballkan, por edhe partnerin tonë edhe në BE. Unë jam kryeministri i Shqipërisë, nuk jam kryeministri i Greqisë dhe unë i shërbej interesave të Shqipërisë dhe jam në krye të një beteje historike që drejtësia në Shqipëri të bëjë drejtësi të barabartë për të gjithë”, tha Rama.











