Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka komentuar ngjarjet e fundit në Kosovë, ku u ndal konkretisht te agresioni serb në Banjskë.
Sa i përket qëndrimit të Shqipërisë për Kosovën, Lleshaj u shpreh se vendi duhet të kuptojë mirë rolin që ka, pasi sipas tij nuk ka luksin për të qenë indiferente ndaj Prishtinës.
Ai shtoi se tensioni mes kryeministrave Rama dhe Kurti nuk duhet të ekzistojë, pasi Shqipëria “duhet t’i dalë në krahë Kosovës”.
“Shqipëria duhet të kuptojë mirë rolin që ka. Nuk kemi luksin për t’u sjellë në mënyrë indiferente ndaj Kosovës. Kosova e di vetë se çfarë do, askush veç tyre nuk mund ta dijë. Roli ynë është t’i mbështesim ata. Shqipëria ka detyrë vetëm të pyesë se çfarë u duhet dhe më pas t’i ndihmojë. Shqipëria mund t’i ndihmonte vetëm duke u dalë në krahë, në të mirë e në të keq. tensioni mes Ramës dhe Kurtit nuk duhet të ekzistojë. Kosovës i duhet shkuar nga pas në këtë rrugëtim. Edhe nëse ata zgjedhin rrugën e gabuar”, tha Lleshaj.












