Fshati Nepravishtë, në Libohovë, i ndodhur 20 kilometra nga Gjirokastra kohët e fundit ka zgjuar kuriozitetin e turistëve vendas e të huaj.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Nepravishta duke ftuar turistët ta vizitojnë atë.
“Nepravishta në Libohovë, një thesar i fshehur që ju pret për ta zbuluar”, shkruan Rama teksa publikon VIDEO-n:
Në këtë fshat ka disa monumente kulture, si Kalaja e Melanit, Ujësjellësi në Teqenë e Melanit, Kisha Paleokristiane e Manastareqit, Teqeja e Melanit që mendohet se është një zgjatim i qytetit antik ilir të Antigonesë ose i ngritur në gjurmët e një qyteti ende të panjohur ilir.
Gjithashtu pranë fshatit Nepravishtë ndodhet Burimi i Nepravishtës ose Vrizit, një burim karstik me ujë të pastër dhe të ftohtë që krijon një mjedis mjaft tërheqës për turistët. Ka vlera shkencore, gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike, kulturore, didaktike, turistike dhe është monument natyre.












