Kryeministri Edi Rama ka ironizuar partinë kryesore të opozitës, Partinë Demokratike të Sali Berishës, duke thënë se ajo do të humbë sërish në garën për Bashkinë e Tiranës, sepse socialistët kanë kandidaten më të mirë, Ogerta Manastirliun.
Megjithatë, pavarësisht retorikës që është e përhershme për PD, kryeministri është treguar më realist për kandidatin e pavarur Florjan Binaj, i cili ka gjetur mbështetje nga PD dhe faktori i gjerë opozitar.
Sipas Edi Ramës, ai është aktor dhe aktorët me role jetojnë ndaj nuk meriton të gjykohet. Kreu i socialistëve ka kujtuar se dikur, në një mbledhje të Kongresit të PS, Florjan Binaj ishte ftuar të bënte sallën për të qeshur duke imituar vet Edi Ramën.
“Ndjese paste Partia Demokratike. Këneta është kaq e dëshpëruar, sa për Tiranën ka nxjerrë një aktor humori në rolin e një kandidati gjoja të pavarur, që për vite të tëra i ka bërë për të qeshur të gjithë, madje edhe vetë Kongresin e Partisë Socialiste, ku ka ardhur njëherë për të luajtur rolin tim. Prandaj, nuk e gjykoj fare keq aktorin për rolin e ri që ka marrë, se aktorët këtë punë kanë, me role jetojnë. Por kush voton mua dhe Partinë Socialiste, do të votojë Ogertën, që t’i japë Tiranës drejtuesen e duhur dhe qeverisë partneren e duhur në krye të bashkisë, për të vazhduar punën transformuese për kryeqytetin e Shqipërisë 2030”, tha Rama.












